Juristi Rezart Kthupi deklaroi se procesi i Rithemelimit në Partinë Demokratike kishte që në fillim si qëllim rikthimin e partisë nën kontrollin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
I ftuar në një studio televizive, Kthupi u shpreh se ndryshimet brenda strukturave drejtuese të partisë pritet të jenë minimale dhe se procesi është zhvilluar brenda një logjike që synon forcimin e pozicionit të Berishës në krye të opozitës.
Sipas tij, Rithemelimi është përdorur si një mekanizëm për të konsoliduar drejtimin e partisë dhe për të “blinduar” figurat që ndodhen pranë Berishës në strukturat drejtuese.
Kthupi shtoi gjithashtu se protestat e organizuara nga opozita gjatë muajve të fundit, sipas tij, kanë shërbyer për të krijuar perceptimin se Berisha është kandidati i pazëvendësueshëm në krye të Partisë Demokratike.
Ai komentoi edhe rolin e Gazment Bardhit në politikën shqiptare, duke e cilësuar atë si një figurë publike që, sipas tij, është mbajtur në skenën politike nga mbështetja e Sali Berishës.
