Autoritetet në Irani kanë paralajmëruar Rumania për pasoja politike dhe ligjore nëse vendi lejon përdorimin e bazave ushtarake në territorin e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për operacione kundër Teheranit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi gjatë një konference për shtyp se një veprim i tillë do të konsiderohej pjesëmarrje direkte në agresion ushtarak ndaj Iranit.
Sipas tij, nëse Bukureshti do të lejojë përdorimin e bazave nga forcat amerikane për operacione kundër Iranit, kjo do të ishte e papranueshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe do të sillte përgjegjësi ndërkombëtare për Rumaninë.
Deklarata vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, mes përshkallëzimit të konfliktit që përfshin Iranin dhe aleatët e tij, si dhe operacionet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre.
