Partia Demokratike e Shqipërisë pritet të zhvillojë sot një mbledhje të Kryesisë në selinë qendrore të partisë, ku në rendin e ditës janë përfshirë disa çështje organizative dhe politike.
Në këtë mbledhje pritet të miratohet edhe data e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të partisë, e cila më pas do t’i propozohet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike për miratim.
Një nga çështjet kryesore që pritet të diskutohet është ngritja e një grupi pune për ndryshime statutore brenda partisë. Ndryshimet e mundshme mund të prekin edhe të ashtuquajturin “neni Basha”, një dispozitë statutore e vendosur gjatë përplasjes politike mes Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
Ky nen parashikon që kryetari i partisë duhet të largohet nga detyra nëse humb zgjedhjet parlamentare.
Përveç çështjeve statutore, në mbledhje pritet të diskutohen edhe organizimi i protestës së paralajmëruar nga opozita më 22 mars, si dhe procesi zgjedhor në degët e Partisë Demokratike në disa qytete të vendit.
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, në orën 14:00, kryetari i PD-së Sali Berisha pritet të zhvillojë edhe një takim me grupin parlamentar të partisë.
