Pas arrestimit të këngëtarit Gjesti, reagime të shumta kanë ardhur nga artistë dhe figura të njohura të muzikës, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për të.
Mes tyre është edhe këngëtari Yll Limani, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i doli në mbrojtje kolegut të tij. Dy artistët bashkëpunojnë gjithashtu në të njëjtin label muzikor.
Në reagimin e tij, Limani theksoi se gjatë muajve të fundit Gjesti është përballur me shumë padrejtësi, ndërsa nënvizoi se arti dhe krijimtaria nuk mund të ndalen nga presioni apo pengesat.
“Gjestit i janë bërë shumë padrejtësi në këto muajt e fundit. Arti nuk matet me pengesa, presion apo padrejtësi. Arti është diçka që nuk mundesh me e ndal”, shkroi ai.
Limani shtoi se artistët që përballen me padrejtësi nuk duhet të ndihen vetëm, pasi kjo është një çështje që prek gjithë komunitetin artistik.
Sipas tij, Gjesti njihet për talentin, përkushtimin dhe shpirtin e tij ndaj muzikës, ndërsa theksoi se arti i vërtetë gjithmonë gjen rrugë.
Reagimi i Yll Limanit shihet si një shprehje solidariteti nga komuniteti i artistëve ndaj kolegëve që përballen me situata të vështira.
