Pastrim parash përmes Call Center-it në Fier, Prokuroria sekuestron dy pasuri të biznesmenit nën hetim

Data

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar dy pasuri në pronësi të shtetasit E.Sh., i cili dyshohet se ka përfituar të ardhura të paligjshme përmes aktivitetit të një call center-i në qytet.

Sipas njoftimit zyrtar, ai është vënë nën hetim për veprat penale “Mashtrim”, “Fshehje të të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një njësi me sipërfaqe 230 metra katrorë dhe një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, të dyja të ndodhura në Fier.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit penal të regjistruar në vitin 2021, dyshohet se përmes aktivitetit të call center-it janë gjeneruar të ardhura të konsiderueshme, të cilat më pas janë depozituar cash në llogari bankare pa një burim të ligjshëm të justifikuar.

Sipas hetuesve, këto shuma monetare janë përdorur për investime në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, ndërsa dyshohet se janë kryer edhe veprime juridike për transferimin e tyre me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme.

Në kuadër të këtij procedimi penal, ndaj personit nën hetim janë vendosur masa sigurie me karakter shtrëngues. Po ashtu, me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi dy pasuritë e identifikuara.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të verifikuar edhe pasuri të tjera që mund të jenë krijuar nga aktiviteti i dyshuar kriminal.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related