Kryeministri britanik Keir Starmer ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump për të diskutuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.
Sipas një zëdhënëseje të Downing Street, dy liderët diskutuan situatën e vazhdueshme në rajon dhe rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin global të energjisë dhe mallrave.
Ata theksuan se bllokimi i kësaj ngushtice ka shkaktuar ndërprerje në transportin detar dhe ka rritur kostot ekonomike në nivel global.
Gjatë bisedës, kryeministri britanik shprehu gjithashtu ngushëllimet për personelin amerikan që ka humbur jetën gjatë konfliktit në rajon.
Sipas zyrës së Starmer, dy liderët ranë dakord të qëndrojnë në kontakt për zhvillimet e mëtejshme.
Ndërkohë, është bërë e ditur se Starmer pritet të diskutojë situatën në Lindjen e Mesme edhe me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, në një takim të planifikuar për ditën e nesërme.
