Rama për portin e Porto Romanos: Projekt strategjik rajonal, gati plan i shpejtë dhe agresiv për ndërtimin

Data

Kryeministri Edi Rama ka folur për projektin e portit të ri tregtar dhe ushtarak në Porto Romano, duke e cilësuar atë një projekt strategjik me rëndësi rajonale dhe europiane.

Në podcastin “Flasim”, Rama tha se riorganizimi i rrjetit portual dhe transferimi i portit tregtar nga Durrësi në Porto Romano është një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe për transformimin urban të qytetit të Durrësit.

Sipas tij, zhvendosja e portit tregtar do të ndihmojë në zhvillimin e industrisë së turizmit në qytetin bregdetar dhe në rritjen e kapaciteteve logjistike të Shqipërisë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Rama theksoi se porti i ri nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një nyje strategjike që lidhet me funksionimin e Korridorit 8 dhe me rrjetin e porteve të thata në rajon, përfshirë ato në Prishtinë dhe Shkup.

Ai shtoi se projekti është hartuar nga kompania ndërkombëtare Royal Haskoning dhe tashmë ndodhet në tryezën e NATO-s, pasi ka kaluar filtrat teknikë dhe pritet të shqyrtohet edhe në nivel politik.

Kryeministri tha se një port i tillë do ta vendosë Shqipërinë në një nivel tjetër në hartën logjistike të rajonit dhe do ta kthejë vendin në një pikë lidhëse të rëndësishme për transportin mes Lindjes dhe Perëndimit.

Rama pranoi se projekti ka hasur vështirësi, përfshirë tërheqjen e një kompanie që ishte pranë nënshkrimit të kontratës për shkak të rritjes së kostove dhe krizës ekonomike.

Megjithatë, ai theksoi se qeveria është gati të kalojë në një plan tjetër të shpejtë dhe më agresiv për të nisur ndërtimin e portit, duke garantuar edhe financimin e nevojshëm për realizimin e projektit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related