Opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë para Kryeministrisë, e cila do të zhvillohet të dielën më 22 mars në Tiranë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale ku fton mbështetësit të mblidhen në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Protesta e paralajmëruar vjen pas tubimit të zhvilluar nga opozita përpara Kuvendit, në ditën kur mazhoranca socialiste votoi kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Berisha ka theksuar në disa deklarata se protesta e opozitës ndodhet në një moment vendimtar dhe sipas tij ka si objektiv kryesor largimin nga pushteti të kryeministrit Edi Rama.
Sipas opozitës, protestat do të vazhdojnë deri në arritjen e kërkesave të tyre politike, ndërsa pritet të shihet se sa pjesëmarrje do të ketë në tubimin e paralajmëruar për javën e ardhshme në kryeqytet.
