PL akuza për ndotjen në kryeqytet: Tirana me ujëra të zeza dhe incenerator që ekziston vetëm në letra

Data

Partia e Lirisë ka ngritur shqetësimin për situatën e ndotjes në Tiranë, duke akuzuar institucionet për mungesë investimesh në trajtimin e ujërave të ndotura dhe për skandalin e inceneratorit të kryeqytetit.

Në një deklaratë për mediat, këshilltari i PL në Bashkinë e Tiranës, Artan Distafa, tha se realiteti i kryeqytetit është larg imazhit të “Tiranës europiane”, duke theksuar se qyteti përballet me probleme serioze mjedisore.

Sipas tij, projekti për trajtimin e ujërave të ndotura të lumit Lana është ndërprerë kur ishte rreth 70% i përfunduar, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare dhe duke lënë të pazgjidhur një problem të rëndësishëm mjedisor.

Distafa theksoi gjithashtu se inceneratori i Tiranës, sipas opozitës, ekziston vetëm në letër, ndërsa vazhdojnë të paguhen miliona euro nga taksat e qytetarëve. Ai pretendon se pagesat për këtë projekt arrijnë rreth 90 mijë euro në ditë.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se mungesa e një impianti funksional për trajtimin e ujërave të ndotura përbën rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik, duke mos përmbushur standardet europiane për qytete me mbi 10 mijë banorë.

Partia e Lirisë kërkon përgjegjësi për ndërprerjen e projektit për trajtimin e ujërave të ndotura dhe për fondet e shpenzuara për inceneratorin e Tiranës, duke e cilësuar situatën aktuale si një model qeverisjeje që sipas saj ka prodhuar ndotje dhe korrupsion.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related