GJKKO rrëzon kërkesën e Belinda Ballukut për heqjen e masës së pezullimit nga detyra

Data

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shfuqizimin e masës së sigurimit “pezullim nga detyra”.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Çela, i cili ka vendosur të lërë në fuqi masën e vendosur më 19 nëntor 2025, edhe pse Balluku nuk ushtron më funksion publik pas shkarkimit nga detyra.

Në kërkesën e paraqitur në gjykatë më 13 mars 2026, Balluku kërkoi revokimin e menjëhershëm të masës së pezullimit nga detyra, duke argumentuar se nuk mban më postin e zëvendëskryeministres dhe të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Megjithatë, gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së saj.

Sipas vendimit, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera në dy raste dhe aktualisht është nën hetim edhe për disa procedura të tjera tenderuese. Ndaj saj është vendosur edhe masa e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit.

Ndërkohë, juristi Saimir Vishaj, i ftuar në një studio televizive, u shpreh se çështja e inceneratorëve dhe koncesioneve të lidhura me të duhet të trajtohet jo vetëm në aspektin penal, por edhe në atë administrativ dhe civil. Sipas tij, përpara çdo procesi tjetër duhet të zgjidhen kontratat koncesionare shumëvjeçare për të përcaktuar përgjegjësitë dhe dëmin e mundshëm financiar ndaj shtetit.

Ai theksoi se kontratat 30-vjeçare të lidhura me inceneratorët përbëjnë një problem të madh juridik dhe financiar, duke shtuar se zgjidhja e tyre është e domosdoshme për të kuptuar përgjegjësitë dhe për të rikuperuar dëmet e mundshme për buxhetin e shtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related