Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për gjuhën e përdorur gjatë konferencës së fundit për shtyp, duke e cilësuar atë si “vulgare” dhe shenjë të një situate të tensionuar politike.
Sipas Balliut, reagimi i Ramës ndaj mediave, opozitës dhe madje edhe ndaj figurave brenda partisë së tij tregon një presion të shtuar për shkak të hetimeve që po zhvillon drejtësia për disa çështje të lidhura me korrupsionin.
Ai u shpreh se çështja që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, sipas tij, prek drejtpërdrejt edhe kryeministrin.
“Rama ka kohë që është në tension. Çështja Balluku është më shumë çështja Rama dhe jo Balluku. Ai nuk rrezikon vetëm pushtetin, por edhe burgun,” deklaroi Balliu.
Deputeti demokrat shtoi gjithashtu se sjellja e kryeministrit ndaj gazetarëve dhe përjashtimi i dy prej tyre nga konferenca për shtyp është një tregues i arrogancës dhe tensionit në rritje në qeveri.
Balliu tha se, sipas tij, mbështetja ndërkombëtare që Rama ka pretenduar se gëzon nuk mund të shërbejë më si mburojë politike përballë zhvillimeve të fundit.
