Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas përjashtimit të gazetarëve Ambrozia Meta dhe Isa Myzyraj nga konferenca për shtyp e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë veprim si presion të papranueshëm ndaj medias.
Në një reagim publik, Tabaku theksoi se gazetarët nuk janë pjesë dekorative e konferencave për shtyp, por kanë detyrën të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë llogari nga pushteti në emër të qytetarëve.
“Përjashtimi i gazetarëve Ambrozia Meta dhe Isa Myzyraj nga konferencat për shtyp vetëm sepse bëjnë pyetje që nuk i pëlqejnë pushtetit është një tjetër shenjë e presionit dhe intimidimit ndaj medias,” u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, liria e medias nuk mbrohet duke shmangur pyetjet apo duke përjashtuar gazetarët, por duke respektuar të drejtën e tyre për të informuar publikun.
Ajo shtoi gjithashtu se Shqipëria nuk ka nevojë për ligje apo kode kundër shpifjes në letër, ndërkohë që në praktikë, sipas saj, sulmet verbale dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë bërë një sjellje e zakonshme nga pushteti.
Tabaku theksoi se respektimi i rolit të medias është thelbësor për transparencën dhe llogaridhënien në një shoqëri demokratike.
