Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një auditim mbi ish-Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ku evidentohen një sërë parregullsish në menaxhimin financiar, prokurimet dhe administrimin e fondeve publike.
Auditimi i përputhshmërisë është kryer për periudhën 1 janar 2023 – 31 dhjetor 2024 dhe përfshin rekomandime për masa organizative, shpërblim dëmi dhe përmirësim të përdorimit të fondeve publike.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me mënyrën e trajtimit të vendimeve gjyqësore për rikthimin në punë të punonjësve. Sipas raportit, ministria ka paguar detyrime për punonjës që kanë fituar gjyqet, por pa i rikthyer në pozicionet e tyre, duke krijuar situata ku një person paguhej sipas vendimit të gjykatës ndërsa puna kryhej nga një tjetër.
KLSH llogarit se vetëm nga këto raste janë përdorur pa efektivitet rreth 27.9 milionë lekë fonde buxhetore.
Auditimi evidenton gjithashtu një dëm ekonomik prej rreth 1.85 milionë lekësh pa TVSH në kontratën për rikonstruksionin e godinës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për shkak të diferencave mes punimeve të raportuara dhe atyre të kryera realisht.
Në raport përmendet edhe një shpenzim i konsideruar i pajustifikuar për marrjen me qira të një automjeti për titullarin e institucionit, ndonëse mjeti ekzistues ishte riparuar më parë dhe ndodhej ende në periudhë garancie.
Po ashtu, auditimi ka konstatuar likuidime me vonesë të faturave, mosraportim të saktë të detyrimeve të prapambetura në pasqyrat financiare dhe mungesë të dokumentimit të plotë për disa procese vendimmarrëse.
Në fushën e prokurimeve publike janë evidentuar kritere tenderi që nuk përputheshin me objektin e kontratave, si dhe mospërputhje mes dokumentacionit të publikuar në sistemin elektronik dhe atij fizik.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson gjithashtu mungesë të gjurmëve të auditimit dhe transparencës në disa procese administrative, çka sipas raportit dobëson kontrollin e brendshëm dhe rrit riskun për përdorim joefektiv të fondeve publike.
Në përfundim, institucioni ka rekomanduar një sërë masash për përmirësimin e menaxhimit financiar, forcimin e transparencës dhe rishikimin e procedurave administrative në këtë institucion.
