Kryeministri Edi Rama reagoi pas deklaratave të disa ambasadave perëndimore, të cilat shprehën shqetësim për vendimin e Kuvendit që rrëzoi kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Rama theksoi se shumica qeverisëse mbetet e fokusuar te objektivi strategjik i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Sipas tij, qeveria mbështet plotësisht punën e SPAK dhe lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë, duke iu referuar edhe vlerësimeve të Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë në këtë drejtim.
Rama u shpreh se Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe se hetimi duhet të vijojë pa presione apo ndërhyrje politike.
Ai argumentoi se vendimi i Kuvendit për të mos autorizuar arrestimin e saj është marrë në përputhje me normat kushtetuese dhe ligjore, duke theksuar se një kërkesë e tillë është një hap ekstrem që kërkon kushte të qarta ligjore.
Kryeministri shtoi se parlamenti veproi ashtu siç do të vepronte çdo parlament demokratik në Europë, ku kërkesat e prokurorisë për arrestimin e një deputeti nuk kalojnë automatikisht pa shqyrtim.
Në fund të reagimit të tij, Rama theksoi se reforma në drejtësi është e pakthyeshme, ndërsa mbështetja për SPAK mbetet e palëkundur.
“Shqipëria nuk ka plan B. Ecim përpara drejt objektivit tonë: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”, u shpreh kryeministri.
