Rama mbërrin në Kuvend para votimit për imunitetin e Belinda Ballukut dhe protestës së opozitës

Data

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë të enjte në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë pak para nisjes së seancës plenare ku do të shqyrtohet kërkesa për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku.

Rama është parë të hyjë në Kuvend me automjetin e tij dhe më pas i është bashkuar mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, e cila u zhvillua në orën 09:00, para nisjes së seancës plenare.

Në seancën e sotme pritet të shqyrtohen dy raportet e përgatitura nga mazhoranca dhe opozita lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, e cila ndodhet në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar.

Mazhoranca socialiste argumenton se Balluku, e cila nuk mban më funksione ekzekutive në qeveri, nuk përbën rrezik për prishjen e provave apo për arratisje dhe se hetimet e SPAK mund të vijojnë edhe pa një masë arresti.

Nga ana tjetër, opozita këmbëngul se ekziston rreziku që ajo të ndikojë në dëshmitarë ose në provat e hetimit, pavarësisht se është larguar nga postet qeveritare.

Raporti i shumicës do të prezantohet nga deputeti Ulsi Manja, ndërsa raporti i opozitës nga Oerd Bylykbashi, pasi Gazment Bardhi është përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Ende nuk dihet nëse vetë Belinda Balluku do të jetë e pranishme në seancë dhe nëse do të marrë fjalën para deputetëve.

Ndërkohë, për shkak të protestës së paralajmëruar nga opozita, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie dhe ka rrethuar perimetrin e Kuvendit me barriera metalike. Në rendin e ditës së seancës janë përfshirë edhe disa projektligje dhe ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related