Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie në disa institucione kryesore në Tiranë në prag të protestës së opozitës para Kuvendit.
Edhe pse tubimi pritet të zhvillohet përpara Parlamentit, efektivë të shumtë policie janë vendosur edhe pranë godinës së Kryeministrisë, si pjesë e planit të masave për menaxhimin e çdo skenari të mundshëm gjatë protestës.
Në zonë janë vendosur gjithashtu autobotë me ujë me presion, të cilët përdoren nga forcat e rendit në rast të përshkallëzimit të situatës.
Protesta e opozitës do të zhvillohet paralelisht me seancën plenare të Kuvendit, ku pritet të votohet kërkesa për autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku. Policia ka paralajmëruar masa të rrepta sigurie dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë pranë institucioneve kryesore.
