Kuvendi i Shqipërisë pritet të zhvillojë sot në orën 10:00 seancën plenare ku do të votohet kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku. Çështja ka mbetur në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar dhe sot pritet të marrë një vendim përfundimtar.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike paraqiten me qëndrime të kundërta në këtë votim. Socialistët argumentojnë se Balluku tashmë është larguar nga funksionet ekzekutive, si nga posti i zëvendëskryeministres ashtu edhe nga ai i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe për këtë arsye nuk ekziston rreziku i prishjes së provave apo arratisjes.
Nga ana tjetër, opozita këmbëngul se heqja e imunitetit dhe dhënia e autorizimit për arrestim është e domosdoshme, duke argumentuar se pavarësisht largimit nga postet qeveritare, Balluku mund të ndikojë në dëshmitarë apo në procesin hetimor.
Raporti i mazhorancës do të lexohet në seancë nga deputeti Ulsi Manja, ndërsa raporti i opozitës nga Oerd Bylykbashi, pasi Gazment Bardhi është përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit.
Në të njëjtën kohë me seancën plenare, opozita ka paralajmëruar një protestë para Kuvendit që do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në përfundimin e seancës. Policia e Shtetit ka marrë masa sigurie dhe ka rrethuar perimetrin e Kuvendit.
Para nisjes së seancës, në orën 09:00, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të zhvillojë gjithashtu një mbledhje ku pritet të diskutohen edhe ndryshime në përbërjen e disa komisioneve parlamentare. Mes tyre është emërimi i ish-ministres së Jashtme Elisa Spiropali në Komisionin e Sigurisë dhe i ish-ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
