Pak orë para nisjes së seancës plenare dhe protestës së opozitës, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie rreth Kuvendit të Shqipërisë.
Dhjetëra efektivë janë pozicionuar në hyrjet e parlamentit, të pajisur me mburoja, fikëse zjarri dhe mjete të tjera sigurie. Sipas burimeve, rreth 1500 policë janë vendosur në gatishmëri për të garantuar mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga Partia Demokratike.
Mbrëmjen e kaluar, policia rrethoi perimetrin e Kuvendit me gardhe metalike dhe vendosi kordone sigurie me forca të rendit dhe njësi të ndërhyrjes së shpejtë. Brenda ambienteve të parlamentit janë vendosur gjithashtu automjete me ujë me presion për menaxhimin e situatës në rast përshkallëzimi.
Protesta e opozitës pritet të zhvillohet paralelisht me seancën plenare të Kuvendit dhe lidhet me kundërshtimin e qëndrimit të mazhorancës për mosmiratimin e kërkesës për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.
Policia ka njoftuar gjithashtu se nga ora 06:00 e mëngjesit deri në përfundim të tubimit do të kufizohet qarkullimi në rrugën “George W. Bush”. Në varësi të zhvillimit të protestës, mund të bllokohen edhe rrugë të tjera, ndërsa qytetarët janë orientuar të përdorin rrugë alternative për lëvizje.
