SPAK mbyll hetimet për tre ukrainas të akuzuar për trafikim personash dhe grup të strukturuar kriminal

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj tre shtetasve ukrainas të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që operonte në Shqipëri.

Të pandehurit Nazar Khamuilo, Mark Petrenko dhe Karol Oskiera akuzohen për trafikim të personave të rritur, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale. Dy prej tyre ndodhen në masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa për njërin masa është ende e paekzekutuar.

Sipas hetimeve, grupi vepronte në qytetin e Vlorës dhe rekrutonte persona nga vendet e Europës Lindore përmes rrjeteve sociale dhe aplikacionit Telegram, duke u premtuar punësim në Poloni. Pas intervistave dhe testeve të poligrafit në Varshavë, personat dërgoheshin në Shqipëri ku përfshiheshin në aktivitete të paligjshme, kryesisht të lidhura me trafikun e drogës.

Hetimet zbuluan se të rekrutuarit mbaheshin në apartamente të marra me qira dhe punonin me pajisje elektronike duke dërguar mesazhe dhe lidhje për rekrutimin e personave të tjerë. Ata detyroheshin të përdornin pseudonime dhe, sipas prokurorisë, punonin nën presion, kërcënime dhe frikësim.

Gjatë operacionit u sekuestruan pajisje elektronike dhe 24 pasaporta të shtetasve të huaj që dyshohet se kishin punuar në këto ambiente për periudha të ndryshme.

SPAK bëri të ditur gjithashtu se ky grup kriminal në Shqipëri ishte pjesë e një rrjeti më të madh ndërkombëtar që vepron në disa vende të ish-Bashkimit Sovjetik. Për hetimin e çështjes kanë bashkëpunuar edhe autoritetet ukrainase dhe Agjencia Kundër Narkotikëve në SHBA (DEA).

Prokuroria thekson se të gjithë të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related