Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë triumfuar në konfliktin me Iranin, duke thënë se rezultati i luftës ishte vendosur që në momentet e para.
Gjatë një fjalimi para mbështetësve të tij në Kentucky, Trump u shpreh se lufta kishte përfunduar shumë shpejt dhe se fitorja ishte arritur që në fillim të operacionit ushtarak.
“Ne kemi fituar. Më lejoni t’ju them, kemi fituar. E di që nuk të pëlqen të thuash shumë herët që ke fituar, por ne fituam. Në orën e parë, mbaroi”, tha Trump gjatë fjalimit.
Presidenti amerikan foli gjithashtu për emrin e operacionit ushtarak që, sipas tij, ishte propozuar nga zyrtarët, duke përmendur “Operacioni Epik i Tërbimit”.
Ai pyeti mbështetësit nëse mendonin se ishte një emër i përshtatshëm për operacionin, duke shtuar me humor se një emër i tillë është i mirë vetëm nëse përfundon me fitore.
Komentet e Trump vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm dhe konflikti me Iranin ka shkaktuar shqetësime për stabilitetin në rajon dhe ndikimin në ekonominë globale.
