Gjykata Penale e Apelit në Greqi ka dhënë vendimin përfundimtar për çështjen e organizatës së ekstremit të djathtë “Agimi i Artë”, duke lënë në fuqi thelbin e vendimit të vitit 2020 që e cilësonte atë si një organizatë kriminale që vepronte nën petkun e një partie politike.
Gjykata shpalli fajtorë 42 të pandehurit e çështjes, duke konfirmuar dënimet për drejtimin e organizatës, për vrasjen e reperit antifashist Pavlos Fyssas dhe për një sërë sulmesh të dhunshme të lidhura me aktivitetin e saj.
Procesi i apelit zgjati rreth katër vjet dhe përfundoi me shqyrtimin e rrethanave lehtësuese dhe caktimin e dënimeve përfundimtare.
Për drejtimin e organizatës kriminale, gjykata la në fuqi dënimet prej 13 vitesh burg për drejtuesit kryesorë, mes tyre Nikos Michaloliakos, Ilias Kasidiaris, Ioannis Lagos, Giorgos Germenis, Christos Pappas dhe Ilias Panagiotaros, ndërsa Artemios Matthaiopoulos u dënua me 10 vite burg.
Për Georgios Roupakias, autorin e vrasjes së Pavlos Fyssas në vitin 2013, u konfirmua dënimi me burgim të përjetshëm dhe 10 vite shtesë.
Gjykata vendosi gjithashtu që disa nga të dënuarit të dërgohen menjëherë në burg, ndërsa për një pjesë të tyre u vendos pezullim ose konvertim i dënimit.
Vendimi përmbyll një nga proceset gjyqësore më të rëndësishme në historinë moderne të Greqisë, duke konfirmuar se “Agimi i Artë” nuk ishte thjesht një parti politike ekstremiste, por një rrjet i organizuar kriminal.
Vendimi pati edhe një ngarkesë të fortë simbolike, ndërsa jashtë gjykatës nëna e Pavlos Fyssas, Magda Fyssa, u shfaq e emocionuar duke deklaruar se drejtësia më në fund ishte vendosur për djalin e saj
