Një draft-raport i Parlamentit Evropian për Kosovën e cilëson vitin 2025 si një “vit të humbur” për vendin, për shkak të krizës së zgjatur politike dhe bllokimit institucional gjatë gjithë vitit.
Dokumenti, i përgatitur nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, vlerëson formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por shpreh shqetësim për dështimin e Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
Kosova gjatë vitit 2025 funksionoi për një periudhë të gjatë me Kuvend jofunksional dhe qeveri në detyrë, pasi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk prodhuan një shumicë të qartë dhe partitë politike nuk arritën marrëveshje për krijimin e një qeverie të qëndrueshme.
Kjo situatë çoi në mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 28 dhjetor, ndërsa mungesa e konsensusit për zgjedhjen e presidentit, me mandatin e presidentes aktuale që përfundon më 4 prill, mund ta çojë vendin në zgjedhje të tjera brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Në raport theksohet gjithashtu se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka dhënë rezultatet e pritura dhe ka qenë pothuajse joaktiv gjatë vitit 2025, edhe për shkak të mungesës së një qeverie me mandat të plotë në Kosovë.
Parlamenti Evropian u bën thirrje të dyja palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve, e cila duhet të bazohet në njohjen reciproke dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Draft-raporti pritet të diskutohet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian më 17 mars, përpara se të kalojë për votim në seancën plenare të këtij institucioni.
