Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka lobuar në mënyrë të fshehtë për të bllokuar përkohësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha pretendoi se Rama kishte zhvilluar një takim me një zyrtar britanik në një hotel gjatë një vizite në Londër, ku sipas tij kishte kërkuar që Shqipërisë t’i shtyhej për disa muaj dhënia e statusit të vendit kandidat.
Sipas Berishës, kërkesa kishte qenë që statusi të mos jepej në atë moment, por të shtyhej për rreth gjashtë muaj, në mënyrë që të mos dukej se ishte arritur gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.
Ai shtoi se zyrtari britanik ishte surprizuar nga kjo kërkesë dhe kishte marrë shënime gjatë takimit.
Berisha pretendoi gjithashtu se informacioni për takimin i ishte përcjellë më pas ambasadorit shqiptar, i cili – sipas tij – kishte deklaruar se një situatë e tillë nuk kishte ndodhur më parë në përvojën e tij diplomatike.
Kreu i opozitës e cilësoi këtë veprim si një veprim kundër interesave të Shqipërisë dhe procesit të integrimit europian të vendit.
