Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar nga arratia pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku ky i fundit foli edhe për çështjen ndaj tij.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ahmetaj kritikoi deklaratat e Ramës, duke theksuar se kryeministri pretendoi se në çështjen e tij ka “1001 të zeza”, ndërkohë që sipas tij procesi gjyqësor ende nuk ka nisur dhe hetimet sapo janë mbyllur.
Sipas Ahmetajt, një deklaratë e tillë përbën shkelje të parimit të prezumimit të pafajësisë, pasi çështja është ende në fazë procedurale dhe i takon drejtësisë të vendosë mbi fajësinë ose pafajësinë.
Ai e cilësoi gjithashtu paradoksale që kryeministri, sipas tij, jep leksione për respektimin e këtij parimi, ndërkohë që e përdor atë me standarde të dyfishta kur i intereson politikisht.
“Është paradoksale të dëgjosh leksione për prezumimin e pafajësisë nga i njëjti kryeministër, i cili nuk heziton ta shkelë atë publikisht sa herë që i intereson politikisht”, thuhet në reagimin e tij.
Ahmetaj theksoi se prezumimi i pafajësisë është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Sipas tij, liria e shprehjes, edhe për zyrtarët e lartë, nuk mund të përdoret për të ushtruar presion mbi organet e drejtësisë apo për të cenuar këtë parim themelor.
