Grupi i hakerave “Homeland Justice” ka rikthyer sërish vëmendjen me një tjetër sulm kibernetik që këtë herë dyshohet se ka në shënjestër Kuvendin e Shqipërisë.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Telegram, hakerat pretendojnë se kanë në dorë komunikimet dhe korrespondencën elektronike të disa anëtarëve të Kuvendit gjatë muajve të fundit.
Në deklaratën e tyre, ata shprehen se bisedat dhe e-mailet e deputetëve ndodhen në posedim të grupit dhe paralajmërojnë se materialet mund të publikohen.
Sipas burimeve mediatike, që nga mëngjesi i së martës deputetët dhe administrata e parlamentit kanë pasur vështirësi për të hyrë në kompjuterët dhe adresat zyrtare të emailit.
Dyshohet se këto probleme teknike lidhen me ndërhyrjen kibernetike, ndërsa strukturat përgjegjëse po punojnë për të rikthyer funksionimin normal të sistemeve.
Sulmi vjen në një moment të tensionuar në arenën ndërkombëtare, ndërsa në Lindjen e Mesme vijojnë përplasjet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
