Atentati ndaj Erogen Brajoviç në Shkodër, policia zbardh ngjarjen dhe shpall në kërkim Barush Bregun

Data

Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në lagjen “Guerrile”, ku një person qëlloi me armë zjarri në ajër gjatë tentativës së policisë për ta ndaluar.

Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për Barush Bregun, 40 vjeç, i cili është shpallur në kërkim dhe dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri për të kanosur efektivët e policisë gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10, kur shërbimet e policisë i bënë shenjë ndalimi një automjeti që drejtohej nga Ervis Baba, 43 vjeç. Në automjet udhëtonin gjithashtu një 17-vjeçar dhe Barush Bregu.

Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi, duke kryer manovra të rrezikshme. Për këtë arsye policia u vu në ndjekje të automjetit.

Gjatë ndjekjes, Bregu dyshohet se ka zbritur nga makina dhe, ndërsa largohej, ka qëlluar në ajër me armë zjarri tip pistoletë për të kanosur punonjësit e policisë.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Risku”, u arrestuan në flagrancë drejtuesi i automjetit Ervis Baba dhe një 17-vjeçar që ndodhej në makinë. Policia arriti gjithashtu të gjejë dhe të sekuestrojë armën e zjarrit me municion, si dhe automjetin tip “Volkswagen Seat” me të cilin lëviznin.

Barush Bregu është shpallur në kërkim dhe rezulton person me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe vjedhje.

Policia po vijon kontrollet në zonë për kapjen e tij, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related