Të shtënat me armë në Shkodër, identifikohet autori: Barush Bregu qëlloi në ajër ndaj policisë dhe u arratis

Data

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Shkodër, ku një person qëlloi me armë zjarri gjatë një ndjekjeje policore.

Sipas hetimeve, bëhet fjalë për 40-vjeçarin Barush Bregu, banues në lagjen “Guerrile”, i cili është shpallur në kërkim. Ai rezulton pjesë e fisit të njohur të Ibrahim Licit dhe ka precedentë penalë për armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe për vjedhje.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10 të ditës së djeshme, kur shërbimet e policisë gjatë patrullimit në këtë lagje i bënë shenjë ndalimi një automjeti. Nga verifikimet rezultoi se automjeti drejtohej nga Ervis Baba, 43 vjeç, ndërsa pasagjerë ishin një 17-vjeçar dhe shtetasi Barush Bregu.

Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi, duke kryer edhe manovra të rrezikshme në rrugë. Për këtë arsye, policia u vu në ndjekje të automjetit.

Gjatë ndjekjes, dyshohet se Bregu ka zbritur nga makina dhe, ndërsa largohej, ka qëlluar me pistoletë në ajër për të kanosur efektivët e policisë.

Shërbimet e policisë arritën të arrestojnë drejtuesin e automjetit, Ervis Baba, si dhe 17-vjeçarin që ndodhej në mjet. Ndërkohë, arma e zjarrit me municion, që dyshohet se u përdor nga 40-vjeçari, u gjet dhe u sekuestrua nga policia bashkë me automjetin tip “Volkswagen Seat”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Policia vijon kërkimet për kapjen e 40-vjeçarit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related