Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbeten të larta, ndërsa liderët ndërkombëtarë japin deklarata të ndryshme për zhvillimet e fundit në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani do të vazhdojë luftën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke hedhur poshtë deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump se konflikti mund të përfundojë së shpejti.
Sipas Araghchi, Irani nuk ka ndërmend të hyjë në negociata me Shtetet e Bashkuara dhe do të vijojë operacionet ushtarake. Deklarata erdhi në një moment kur Teherani nisi një valë të re sulmesh ndaj disa vendeve të Gjirit që konsiderohen aleate të SHBA-së.
Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se administrata e tij po përpiqet të mbajë nën kontroll çmimet e naftës, të cilat janë rritur për shkak të konfliktit. Ai theksoi se operacioni i ndërmarrë ishte i vështirë, por sipas tij po jep rezultate më shpejt nga sa pritej.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu reagoi duke theksuar se ofensiva e Izraelit kundër Iranit nuk ka përfunduar ende.
“Synimi ynë është që populli iranian të heqë zgjedhën e tiranisë. Në fund gjithçka varet nga ata, por është e qartë se veprimet tona po dobësojnë udhëheqjen klerikale dhe operacioni nuk ka përfunduar”, deklaroi Netanyahu.
Në terren ndërkohë vazhdojnë përplasjet ushtarake. Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj bazave iraniane të raketave, ndërsa Irani ka lëshuar raketa drejt territorit izraelit, shumica e të cilave janë interceptuar nga sistemet mbrojtëse.
