Mbledhja e Partisë Demokratike në Shkodër është shoqëruar me tensione dhe debate mes anëtarëve të strukturave lokale.
Takimi u zhvillua nën drejtimin e drejtuesit politik të qarkut, Luciano Boçi, dhe kishte në fokus konfirmimin e kandidatëve për kryetar të degës së PD në Shkodër.
Debatet nisën pasi u vendos që në garë të konfirmohen vetëm dy kandidatë, ndërkohë që nga baza e partisë ishte propozuar një listë më e gjerë emrash për këtë post.
Gjatë diskutimeve nuk munguan përplasjet verbale mes disa prej pjesëmarrësve, ndërsa të tjerë ndërhynë për të qetësuar situatën dhe për të vijuar mbledhjen.
Zgjedhjet për kryetarin e ri të degës së Partisë Demokratike në Shkodër pritet të zhvillohen më 15 mars, sipas parimit “një anëtar, një votë”, ku anëtarësia do të vendosë për drejtimin e ri të kësaj dege.
