Sekretariati i Etikës në Kuvend ka vendosur të përjashtojë me nga 10 ditë nga aktivitetet parlamentare dy deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Vendimi erdhi pas kërkesës së Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj dy deputetëve demokratë, në lidhje me incidentet e ndodhura gjatë seancës së fundit plenare në Parlament.
Ndërkohë, Partia Demokratike kishte kërkuar gjithashtu marrjen e një mase më të rëndë ndaj deputetit socialist Taulant Balla, duke kërkuar përjashtimin e tij për 60 ditë nga Kuvendi. Kërkesa e opozitës lidhej me gjuhën e përdorur nga Balla ndaj deputetes së PD-së, Albana Vokshi, gjatë debatit parlamentar.
Sekretariati i Etikës shqyrtoi kërkesat dhe vendosi për përjashtimin 10-ditor të deputetëve Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, ndërsa për kërkesën e opozitës ndaj Taulant Ballës nuk u njoftua për ndonjë masë të re disiplinore.
