Lapaj vijon protestën para Kryeministrisë: Koha e frikës në Shqipëri duhet të marrë fund

Data

Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë, e cila ka hyrë në javën e saj të pestë, vijon të tërheqë vëmendje në skenën politike. Aktivisti dhe drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi se vendimi i Prokurorisë që e konsideron protestën një të drejtë legjitime përforcon ligjshmërinë e saj.

Në një intervistë televizive, Lapaj tha se pas këtij vendimi autoritetet janë detyruar të kthejnë edhe materialet e sekuestruara gjatë protestës, përfshirë karriget që sipas tij ishin konsideruar si “armë krimi”.

Ai bëri të ditur gjithashtu se është kallëzuar për tre vepra penale, mes tyre edhe për “pushtim të tokës”, një akuzë që e cilësoi absurde.

“Nuk e kuptoj çfarë republike është kjo ku njerëzit akuzohen për pushtim toke me karrige,” u shpreh Lapaj me ironi.

Aktivisti theksoi se protesta ka për qëllim të ushtrojë presion ndaj qeverisë dhe të shprehë pakënaqësinë qytetare. Duke iu referuar sloganit të protestuesve, ai tha se kryeministri ka dy rrugë: ose të ndjekë ligjërisht akuzat për shpifje, ose të përballet me kritikat publike.

Lapaj bëri thirrje për pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në protestë, duke kërkuar që të lihen mënjanë ndasitë politike dhe ideologjike.

Sipas tij, çështja nuk lidhet me mbështetjen ndaj një individi apo organizate, por me nevojën për të krijuar një reagim më të gjerë qytetar kundër korrupsionit dhe për të përfunduar atë që ai e quajti “koha e frikës” në vend.

Protesta para Kryeministrisë është zhvilluar çdo ditë gjatë javëve të fundit dhe pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related