Mojtaba Khamenei, djali i dytë i udhëheqësit suprem të ndjerë të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është plagosur gjatë sulmeve të fundit në Iran, sipas raportimeve të mediave izraelite.
Sipas gazetarit të Channel 12 dhe Ynet, Amit Segal, Mojtaba Khamenei është plagosur gjatë sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite, por raportohet se ai ka mbijetuar.
“Pasardhësi i emëruar në Iran, djali i Khameneit, është plagosur, por duket se është ende gjallë”, shkroi Segal në rrjetin social X.
Deri tani autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht lajmin për plagosjen e tij, ndërsa informacioni bazohet në raportime të mediave izraelite.
Mojtaba Khamenei konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për të pasuar të atin në krye të Republikës Islamike të Iranit. Ai shihet si favorit për t’u zgjedhur lideri i ri nga Asambleja e Ekspertëve, organi prej 88 klerikësh që ka kompetencën për të emëruar Udhëheqësin Suprem.
Megjithatë procesi i zgjedhjes së liderit të ri ende nuk është përfunduar. Sipas raportimeve, një mbledhje e Asamblesë së Ekspertëve është zhvilluar në videokonferencë për të formalizuar zgjedhjen, por përfundoi pa rezultat.
Burime të cituara nga media ndërkombëtare kanë raportuar se disa anëtarë të asamblesë bojkotuan seancën, duke denoncuar presion nga Garda Revolucionare Iraniane për të mbështetur kandidaturën e Mojtaba Khameneit.
Debati për kandidaturën e tij është përqendruar edhe te çështja e nepotizmit. Disa klerikë argumentojnë se zgjedhja e djalit të liderit të ndjerë mund ta bëjë sistemin politik iranian të duket si një monarki fetare, gjë që bie ndesh me parimet mbi të cilat u themelua Republika Islamike pas revolucionit të vitit 1979.
Mojtaba Khamenei, i lindur në Mashhad në vitin 1969, është një klerik me ndikim në strukturat e pushtetit në Teheran. Edhe pse nuk ka mbajtur poste të zgjedhura zyrtare, ai konsiderohet prej vitesh një figurë e fuqishme prapa skenës në sistemin politik iranian dhe ka lidhje të ngushta me Gardën Revolucionare Islamike.
Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tij, duke e akuzuar për përfshirje në strukturat e pushtetit dhe në shtypjen e protestave në Iran. Ndërkohë, zhvillimet e fundit në rajon dhe lufta e vazhdueshme mund të ndikojnë në mënyrën dhe kohën kur do të shpallet lideri i ri suprem i Iranit.
