Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër ndaj projektit për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, duke akuzuar qeverinë se po shkatërron Portin e Durrësit dhe interesat strategjike të vendit.
Në një deklaratë publike, Vasili u shpreh se porti i ri i planifikuar në Porto Romano do të jetë shumë i vogël dhe i papërshtatshëm për të shërbyer si porta kryesore hyrëse e Korridorit VIII.
Sipas tij, edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë ka argumentuar se projekti aktual rrezikon të shkaktojë një dëm të madh ekonomik për Shqipërinë dhe të dobësojë rolin strategjik të vendit në rajon.
“Është e qartë për të gjithë se porti i ri i Porto Romanos do të jetë një ‘kotec’ qesharak dhe jo porti kryesor i Shqipërisë dhe porta hyrëse e Korridorit të Tetë”, u shpreh Vasili.
Ai shtoi se, sipas kritikëve të projektit, përmasat e portit të ri janë shumë të kufizuara dhe nuk mund të konkurrojnë me portet rajonale si ai i Selanikut dhe i Pireut.
Vasili akuzoi kryeministrin Edi Rama se po dëmton një aset strategjik të vendit, ndërsa theksoi se investimi i planifikuar prej rreth 415 milionë eurosh nga buxheti i shtetit nuk është i mjaftueshëm për një port konkurrues.
Sipas tij, specialistët e fushës kanë vlerësuar se një port me parametra të pranueshëm do të kërkonte të paktën 1 miliard euro investim.
Deputeti i Partisë së Lirisë e cilësoi projektin si një nga aferat më të rënda korruptive në vend dhe bëri thirrje që tenderi për ndërtimin e portit të ri të anulohet.
Ai kërkoi gjithashtu që opozita ta trajtojë këtë çështje si prioritet politik, duke përfshirë kallëzime në SPAK dhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të shqyrtuar projektin.
Në përfundim, Vasili u bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, që të informohen për këtë çështje që sipas tij prek interesat strategjike të Shqipërisë.
