Astronomët kanë zbuluar një sinjal të pazakontë radiofonik në hapësirë, i cili konsiderohet si një nga provat më të qarta të asaj që shkencëtarët e quajnë “fantazma” e një shpërthimi kozmik të fuqishëm.
Sinjali, i identifikuar si ASKAP J005512-255834, u kap nga radioteleskopi australian SKA Pathfinder (ASKAP) në Australinë Perëndimore. Ky teleskop është pjesë e një projekti të madh ndërkombëtar për studimin e universit përmes valëve radio.
Sipas studimit të drejtuar nga Universiteti i Sidneit dhe me pjesëmarrjen e Institutit Kombëtar të Astrofizikës në Itali, sinjali përfaqëson jehonën e një shpërthimi të rrezeve gama që nuk ishte drejtuar drejtpërdrejt drejt Tokës.
Shkencëtarët shpjegojnë se shpërthime të tilla janë ndër fenomenet më energjike në univers. Edhe kur ato nuk drejtohen drejt Tokës, valët e tyre të shokut mund të përhapen në hapësirë dhe të zbulohen nga teleskopët radio.
Sinjali i zbuluar u intensifikua shumë shpejt, duke arritur një fuqi të krahasueshme me valët radiofonike të miliarda yjeve, përpara se të zbehej gradualisht.
Ndryshe nga shumë ngjarje kozmike të ngjashme, ky fenomen nuk ishte i dukshëm në dritën e zakonshme apo në rrezet X, gjë që e bën zbulimin edhe më të rrallë.
Studiuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që sinjali të ketë lidhje me një yll që ka kaluar shumë pranë një vrime të zezë, megjithatë shumica e karakteristikave përputhen me atë që pritet nga jehona e një shpërthimi të rrezeve gama.
Ky zbulim konsiderohet një hap i rëndësishëm për astronominë, pasi mund të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë disa nga ngjarjet më ekstreme dhe misterioze në univers.
