Tensionet e fundit në Lindjen e Mesme po ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare, duke shkaktuar panik dhe spekulime në çmimet e energjisë dhe në ekonominë globale.
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, i ftuar në një studio televizive, u shpreh se bota ndodhet ende në fazën e parë të reagimit ndaj krizës së krijuar nga përshkallëzimi i konfliktit në rajon.
Sipas tij, goditja ndaj një prej rafinerive më të mëdha të gazit dhe paralajmërimet e bëra ndaj Evropës kanë ndikuar menjëherë në tregjet financiare dhe energjetike.
Preçi theksoi se një nga pikat më kritike është ngushtica e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin e energjisë, ku kalon rreth 20% e tregtisë botërore.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për të garantuar lundrimin e lirë në këtë zonë, në mënyrë që të shmanget një krizë më e thellë në furnizimin global me energji.
“Jemi në fillimet e këtij procesi dhe është e vështirë të thuhet se sa do të ndikojë. Ndikimi ka filluar edhe pse kanë kaluar vetëm pak ditë dhe aktualisht jemi në fazën e panikut dhe spekulimit në tregje”, u shpreh Preçi.
Sipas ekspertit, strategjia e Iranit për të goditur pika nevralgjike të energjisë në rajon mund të çojë në një zhbalancim të raportit mes kërkesës dhe ofertës në tregun global.
Ai theksoi se Lindja e Mesme zotëron më shumë se 60% të potencialit botëror të naftës dhe gazit, ndaj çdo zhvillim në këtë rajon ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë ndërkombëtare.
