Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur dërgimin në gjyq të tre personave të akuzuar për tentativë ndërhyrjeje në sistemet kompjuterike, përfshirë ato të SPAK.
Vendimi u mor në seancën paraprake të zhvilluar më 6 mars 2026 nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Paulin Çera, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dërgimin në gjyq të çështjes.
Në bankën e të akuzuarve janë Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët akuzohen për disa vepra penale që lidhen me krimet kompjuterike dhe veprimtarinë në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas akuzës, Arnold Rrokaj përballet me akuzat për “hyrje të paautorizuar kompjuterike” dhe “përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, të kryera në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndërsa Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili akuzohen për “përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, gjithashtu në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjykata pranoi kërkesën e SPAK për dërgimin e çështjes për gjykim në themel, ku dosja do t’i kalojë një trupi gjykues prej tre gjyqtarësh të Gjykatës së Posaçme.
Dy prej të pandehurve, Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni, kanë kërkuar që çështja të shqyrtohet me gjykim të shkurtuar, ndërsa Agim Ismaili do të gjykohet me procedurë të zakonshme.
Vendimi i gjykatës është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.
