Nxënës të gjimnazit “Sulejman Delvina” kanë protestuar para Komisariatit të Policisë në Delvinë pas një incidenti të rëndë të ndodhur në ambientet e shkollës, ku një përplasje mes dy nxënësve përfundoi me përdorimin e një thike.
Si pasojë e konfliktit, një nga nxënësit është goditur në shpatull dhe ka marrë ndihmë mjekësore. Ngjarja ka nisur brenda ambienteve të shkollës dhe më pas është përshkallëzuar pasi nxënësit janë larguar nga mjediset e saj.
Nxënësit që morën pjesë në protestë thanë se situata problematike në shkollë është denoncuar disa herë më parë pranë drejtuesve të institucionit, por sipas tyre nuk janë marrë masa konkrete për ta parandaluar.
Sipas dëshmive të tyre, një nga nxënësit e përfshirë në konflikt kishte shfaqur më parë sjellje problematike, por nuk është ndërhyrë në kohë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Nxënësit pretendojnë gjithashtu se prindërit nuk janë njoftuar menjëherë për incidentin dhe se nxënësi i përfshirë në konflikt është lejuar të largohet nga shkolla para përfundimit të orarit mësimor.
Protestuesit theksuan se raste të ngjashme janë përsëritur edhe më parë dhe kërkuan ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për të hetuar ngjarjen dhe për të garantuar sigurinë në shkollë.
Ata apeluan që të merren masa konkrete për të parandaluar incidente të tjera dhe për të krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë nxënësit.
