Konflikti për pronat në zonën e Rrjollit në Shkodër është përshkallëzuar në përplasje fizike mes palëve të përfshira në këtë çështje.
Ish-drejtori i Kadastrës, Fatmir Shpellzaj, ka deklaruar publikisht se djali i tij është dhunuar nga disa banorë të zonës. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes jashtë ambienteve të një televizioni, ku ai kishte qenë i ftuar në një emision.
Shpellzaj tha se djali i tij kishte shkuar për ta shoqëruar së bashku me një mik dhe se të dy janë sulmuar fizikisht. Ai pretendon se të rinjtë kanë pësuar fraktura dhe kanë përfunduar për trajtim në spital.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i banorëve të Rrjollit, Prekë Molla, e ka kundërshtuar këtë version. Sipas tij, konflikti ka nisur pasi djali i Shpellzajt ka provokuar fillimisht situatën dhe më pas është shfaqur i shoqëruar nga disa persona të tjerë.
Molla pretendon se ata kanë qenë të armatosur dhe të pajisur me shkopinj bejsbolli, çka sipas tij ka shkaktuar reagimin e banorëve të pranishëm. Ai shtoi se edhe disa banorë kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjes.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit. Personat e përfshirë janë shoqëruar në komisariat dhe po hetohen në gjendje të lirë.
Përplasjet për pronat në Rrjoll kanë vijuar prej më shumë se një muaji, ndërsa banorët kundërshtojnë projektin për ndërtimin e një resorti në zonë, duke pretenduar se pronat e tyre janë marrë në mënyrë të padrejtë.
