Grabiti me armë një pikë këmbimi valutor në zonën e “5 Majit”, autori pranon krimin: E bëra për shkak të borxheve

Data

Është zbardhur dëshmia e autorit të grabitjes me armë në një pikë këmbimi valutor në zonën e “5 Majit” në Tiranë. I arrestuari, Luan Maçi, fillimisht i mohoi akuzat gjatë marrjes në pyetje nga policia, duke deklaruar se nuk kishte lidhje me grabitjen e rreth 300 mijë lekëve.

Megjithatë, hetimet e efektivëve të Komisariatit nr. 4 zbuluan prova që e implikonin në ngjarje. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti rrobat që dyshohet se kishte përdorur gjatë grabitjes, si dhe një brisk rroje të fshehur në lavatriçe.

Përballë këtyre provave, Maçi ndryshoi deklarimin dhe pranoi autorësinë e grabitjes. Sipas dëshmisë së tij, ai kishte planifikuar më herët kryerjen e krimit, por e kishte shtyrë për shkak të frikës pas një grabitjeje tjetër me armë që kishte ndodhur në një bankë pranë zonës së ish-Parkut.

Burime nga policia bëjnë me dije se pas grabitjes ai është larguar në këmbë nga vendngjarja dhe ka hyrë në tregun e Medresesë, për të dalë më pas nga rrugica të tjera në pjesën e pasme të zonës.

Gjatë arratisjes, ai dyshohet se ka fshehur pistoletën në një pusetë dhe më pas ka marrë një taksi për t’u kthyer në banesë. Për të shmangur identifikimin, ai ka hequr edhe mjekrën dhe fillimisht ka pretenduar para policisë se ishte ngatërruar me një person tjetër.

Gjatë kontrollit policia i gjeti vetëm 15 mijë lekë të reja, ndërsa dyshohet se pjesën tjetër të parave ai e ka përdorur për të shlyer borxhe. Megjithatë, sipas hetuesve, në dëshminë e tij ka disa kontradikta që po verifikohen në vijim të hetimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related