Betohen para Presidentit 7 ministrat e rinj të kabinetit “Rama 4”, ndryshimet zyrtarizohen në Pallatin e Brigadave

Data

Shtatë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar janë betuar para Presidentit të Republikës, duke marrë zyrtarisht detyrën. Ceremonia e betimit u zhvillua në Pallatin e Brigadave, ku ministrat vendosën dorën mbi Kushtetutë dhe lexuan formulën e betimit.

E para që u betua ishte zëvendëskryeministrja Albana Koçiu. Më pas u betuan edhe ministrat e tjerë të kabinetit të ri.

Ferit Hoxha mori detyrën si ministër i Punëve të Jashtme, Besfort Lamallari si ministër i Brendshëm, ndërsa Ermal Nufi u betua si ministër i Mbrojtjes.

Po ashtu, Toni Gogu mori detyrën si ministër i Drejtësisë, Enea Karakaçi si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Eriona Ismaili si ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin.

Ndryshimet në qeveri u njoftuan më 26 shkurt gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në kuadër të këtij riorganizimi, kryeministri Edi Rama shkarkoi disa ministra, përfshirë Belinda Ballukun nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Po ashtu u larguan nga detyra edhe Pirro Vëngu nga Ministria e Mbrojtjes dhe Elisa Spiropali nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në vend të Ballukut si zëvendëskryeministre u emërua Albana Koçiu, ndërsa drejtimin e Ministrisë së Brendshme e mori Besfort Lamallari. Ministria e Drejtësisë iu besua Toni Gogut, ndërsa Eriona Ismaili u emërua ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ndërkohë, në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u emërua Enea Karakaçi, ndërsa Ministrinë e Mbrojtjes e drejton tashmë Ermal Nufi. Në diplomacinë shqiptare, në vend të Elisa Spiropalit u emërua Ferit Hoxha, ish-ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related