Policia ka arrestuar shtetasin Izvin Gucija, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të ndodhur në Shkodër.
40-vjeçari u kap nga efektivët e policisë në afërsi të banesës së tij, ndërsa dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Genc Hoxha, 45 vjeç.
Si pasojë e të shtënave, Hoxha ka mbetur i plagosur në këmbë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake rezulton se autori dhe i plagosuri njiheshin me njëri-tjetrin. Sipas policisë, i dyshuari është pronar i një servisi automjetesh pranë urës së Dervishbegut në Shkodër.
Burime bëjnë me dije se disa kohë më parë 45-vjeçari kishte dërguar automjetin e tij për riparim në këtë servis, por nuk kishte mbetur i kënaqur me punën e kryer.
Pak ditë më parë ai ishte paraqitur sërish në servis dhe gjatë një debati dyshohet se ka fyer pronarin, i cili nuk kishte reaguar në atë moment.
Megjithatë, ditën e djeshme konflikti është përshkallëzuar, duke përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.
Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur një gëzhojë, ndërsa është sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se është përdorur në plagosje. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
