Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste,Taulant Balla, i ka kërkuar ndjesë deputetes së Partisë Demokratike,Albana Vokshi, pas tensioneve të krijuara në seancën plenare në Kuvend.
Deklarata e Ballës për një numër telefoni “0900”, e bërë gjatë debatit për çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, shkaktoi reagime të forta nga opozita dhe përplasje në sallë.
Duke marrë sërish fjalën, Balla sqaroi se nuk kishte për qëllim të fyente deputeten demokrate dhe se bëhej fjalë për një linjë telefonike informacioni që përdoret në Bashkimin Europian për të marrë informacione mbi proceset dhe vendimmarrjen e BE-së.
“Nëse kolegia Vokshi ndihet e fyer, unë i kërkoj ndjesë. Por nuk ka pasur asnjë fyerje. Bëhet fjalë për një numër telefonik që në BE përdoret për të marrë informacion mbi Bashkimin Europian”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se kushdo që ka nevojë për informacion mbi vendimmarrjen e institucioneve europiane mund të përdorë këtë linjë informuese.
Ndërkohë, pas tensioneve dhe përplasjeve të ndodhura në sallën e Kuvendit mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, Balla kërkoi edhe ndërprerjen e seancës deri në rikthimin e normalitetit në sallë.
