Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar në seancën plenare që të përfshihet në rendin e ditës raporti i Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi akuzoi mazhorancën se po zvarrit qëllimisht procedurat për të shtyrë afatet dhe për ta çuar çështjen drejt skadimit të saj, duke bërë që kërkesa e SPAK të konsiderohet e refuzuar.
Ai theksoi se raporti është dorëzuar tashmë dhe sipas rregullores duhet të trajtohet në seancën e parë pas dorëzimit.
“Siç jeni në dijeni, më 23 shkurt Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet ka përfunduar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin ose heqjen e lirisë për deputeten Belinda Balluku. Pesë anëtarët e Këshillit që kishin një qëndrim të qartë kanë dorëzuar raportin. Ju jeni të detyruar ta përfshini atë në seancën më të parë të Kuvendit”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, mosfutja e raportit në rendin e ditës përbën shkelje të procedurave parlamentare dhe një përpjekje për të fituar kohë.
“Raporti u dorëzua të hënën dhe seanca më e parë është kjo e sotmja. Në rendin e ditës nuk u përfshi shqyrtimi i kësaj kërkese, që ka natyrë urgjente. Ka mbetur vetëm një javë që kërkesa të quhet e rrëzuar për shkak të mosmarrjes në shqyrtim. Po e çoni çështjen në limitet kohore të tre muajve, në kundërshtim me çdo procedurë”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Bardhi ironizoi edhe deputetin socialist Ulsi Manja, duke kërkuar që raporti të sillet menjëherë në Kuvend dhe të mos mbrohet Balluku.
