Deputeti dhe kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, është larguar nga seanca plenare pasi u përjashtua për 20 ditë nga Sekretariati i Etikës, pas tensioneve të regjistruara në seancën e së hënës në Kuvend.
Në një prononcim për gazetarët, Shehaj u shpreh se gjatë fjalës së tij në Kuvend nuk ka ofenduar apo sharë askënd, por vetëm ka përcjellë shqetësimet e banorëve të Rrjollit, të cilët prej kohësh protestojnë për pronat e tyre.
“Unë të hënën bëra atë që duhet të bënte çdo deputet, të sjellë në Kuvendin e Shqipërisë zërin e qytetarëve. Në Rrjoll qytetarët po protestojnë sepse u është rrëmbyer prona, rreth 150 hektarë nga ish-drejtori i Hipotekës. Policia bën sehir, ndërsa policia private, banditë me kapuç dhe shkopinj gome, rrahin protestuesit që mbrojnë pronën e tyre”, deklaroi Shehaj.
Ai shtoi se gjatë fjalës së tij ka treguar edhe pamje të dhunës ndaj banorëve, duke përmendur raste të të moshuarve dhe të rinjve të lënduar gjatë protestave.
“Për këtë çështje fola. Nuk shava, nuk shtyva dhe nuk ofendova njeri. Parlamenti është kthyer në mbrojtje të të korruptuarve”, tha deputeti.
Shehaj bëri të ditur gjithashtu se protestat për çështjen e pronave në Rrjoll do të vijojnë, duke paralajmëruar një tjetër tubim në orën 18:00.
Përplasjet në Kuvend ndodhën pasi deputeti foli për protestat e banorëve kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë nga kompania “Genner 2”. Pas përfundimit të fjalës së tij, ai nuk u largua menjëherë nga foltorja dhe iu afrua deputetëve socialistë duke u treguar pamje të një të riu të dhunuar gjatë protestës.
Pas tensioneve në sallë, nënkryetarja e Kuvendit i komunikoi vendimin për përjashtimin e tij nga seancat plenare për 20 ditë.
