Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka raportuar për më shumë se katër orë në Bruksel përpara përfaqësuesve të Komisionit Europian lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi dhe progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Burime nga Delegacioni i Shqipërisë në Bashkimin Europian, në kushte anonimiteti, i thanë gazetarit Muhamed Veliu se Braho nuk ka qenë i vetëm gjatë kësaj përballjeje me zyrtarët europianë.
Ai ka qenë i shoqëruar nga disa hetues dhe këshilltarë ligjorë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, mes tyre edhe Sadiela Bodo. Në të njëjtën tryezë ka qenë gjithashtu edhe shefi i kabinetit të tij, Fabian Zhilla.
Sipas të njëjtave burime, raportimi i kreut të SPAK në Bruksel ka qenë pjesë e procesit të monitorimit të progresit të Shqipërisë në kapitujt 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhen me gjyqësorin, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Gjatë takimit, Braho iu është përgjigjur me detaje pyetjeve të përfaqësuesve të DG ENEST, Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore në Komisionin Europian.
Kjo drejtori ka si detyrë kryesore menaxhimin e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me vendet kandidate për anëtarësim, si dhe monitorimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimeve ekonomike dhe reformës në administratën publike.
