Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit ka shtuar shqetësimin për një zgjerim të mundshëm të luftës edhe përtej rajonit. Sulmet iraniane ndaj bazave amerikane dhe një incident me dron pranë një baze britanike në Qipro kanë ngritur pikëpyetje edhe për sigurinë në Europë.
Në këtë kontekst, është diskutuar shpesh nëse raketat iraniane mund të arrijnë edhe në Shqipëri. Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Muçollari, ka deklaruar se një skenar i tillë është praktikisht i pamundur.
Sipas tij, distanca mes Iranit dhe Shqipërisë është rreth 2500 kilometra, që përkon me kufirin maksimal të rrezes së disa raketave balistike iraniane.
“Distanca nga kufiri Iran-Irak deri në Shqipëri është rreth 2500 kilometra, që është edhe kufiri maksimal i disa raketave balistike iraniane. Por kjo skemë nuk është reale, sepse bazat e lëshimit në atë zonë janë goditur dhe distanca efektive është rritur në rreth 3000 kilometra, çka do të thotë se Shqipëria është jashtë rrezes së tyre”, u shpreh Muçollari.
Ai shtoi se edhe nëse teorikisht një raketë do të mund të arrinte drejt territorit shqiptar, ajo do të duhej të kalonte më parë në hapësirën ajrore të Turqisë dhe Greqisë, të dyja vende anëtare të NATO-s.
Sipas tij, një veprim i tillë do të përbënte automatikisht një sulm ndaj aleancës, duke aktivizuar nenin 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive.
“Edhe sikur të ishim brenda rrezes, raketat do të kalonin në hapësirën ajrore të Turqisë dhe Greqisë përpara se të mbërrinin në Shqipëri. Kjo do të thoshte sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s dhe do të aktivizonte menjëherë nenin 5, duke futur aleancën në luftë. Pra teknikisht nuk ka mundësi, por edhe strategjikisht nuk është në interesin e Iranit ta bëjë një gjë të tillë”, theksoi ish-komandanti.
