Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke i akuzuar për afera të shumta korruptive.
Berisha deklaroi se Rama është i gatshëm të shkelë çdo ligj dhe normë për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij nga drejtësia. Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me Ballukun, por me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit.
Ai u shpreh se Shqipëria “nuk ka pasur hajdute të dytë si Balluku”, duke shtuar se Rama dhe familjarët e tij përmenden në dhjetëra dosje dhe fakte që lidhen me afera të ndryshme.
Sipas Berishës, kryeministri po përpiqet të shmangë presionin ndërkombëtar dhe akuzat duke kërkuar mbështetje politike jashtë vendit. Ai akuzoi Ramën se ka zgjedhur të afrohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të gjetur “shpëtim politik”.
Berisha gjithashtu kritikoi nismat rajonale si “Ballkani i Hapur”, duke pretenduar se ato përdoren për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme dhe akuzat për korrupsion ndaj qeverisë.
