Detaje të reja kanë dalë nga dosja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku përveç dyshimeve për manipulim tenderash, hetuesit kanë ngritur edhe shqetësime për presion ndaj dëshmitarëve.
Sipas materialeve të paraqitura nga prokurorët në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, SPAK ka administruar përgjime telefonike të autorizuara nga gjykata që tregojnë tentativa për intimidim dhe ndikim mbi një prej dëshmitareve të çështjes.
Prokurori Klodian Braho deklaroi se dosja hetimore është shumë voluminoze dhe përfshin një numër të madh procedurash dhe provash. Sipas tij, rëndësia e çështjes lidhet me numrin e fakteve penale të dyshuara dhe me dëmin e mundshëm ekonomik që mund të jetë shkaktuar nga procedurat e dyshuara si të paligjshme.
Në një nga përgjimet, të datës 20 nëntor 2025, një dëshmitare shprehet e frikësuar dhe përmend presione të ushtruara nga persona të ndryshëm, përfshirë zyrtarë dhe individë të përshkruar si “të fortë”. Sipas prokurorit Dritan Prençi, familjarët e saj kanë marrë telefonata kërcënuese dhe më pas i është bërë ofertë që të ndryshojë dëshminë.
Në bisedat e përgjuara, sipas prokurorisë, përmendet edhe tentativa për ta bindur dëshmitaren të ndryshojë avokatin dhe të pranojë një mbrojtës të sugjeruar nga persona të tjerë.
SPAK thekson se këto të dhëna kanë qenë një nga arsyet kryesore që organi i akuzës kërkoi masë më të ashpër sigurie ndaj Ballukut, duke argumentuar se ekziston rreziku që dëshmitarët të ndikohen ose të prishen provat.
Prokuroria gjithashtu ka sqaruar se deri tani nuk ka pretendime zyrtare nga ana e Ballukut apo mbrojtjes së saj që hetimi të ketë motive politike.
Ndërkohë, çështja për heqjen e imunitetit dhe kërkesën për arrestimin e saj mbetet ende në diskutim në Kuvend, ku pritet një vendimmarrje në vijim.
