Një incident i rëndë është raportuar në ambientet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku dy drejtues të institucionit janë përfshirë në një konflikt fizik.
Sipas informacioneve paraprake, drejtori Fatmir Metaj është përplasur me drejtorin e Mjedisit, Klesti Çela, pas një debati lidhur me një masë bllokimi të vendosur ndaj një kompanie që dyshohet se po shkarkonte dhera dhe inerte në periferi të Tiranës.
Raportohet se debati verbal mes tyre është përshkallëzuar në dhunë fizike brenda ambienteve të institucionit, ndërsa në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Pas ngjarjes, drejtuesit e përfshirë janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimeve.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së njoftimit janë vënë në lëvizje strukturat përgjegjëse për verifikimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj personave të përfshirë do të zhvillohet hetim administrativ dhe penal, ndërsa paralelisht janë aktivizuar edhe mekanizmat disiplinorë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.
Institucioni theksoi se nuk toleron asnjë formë dhune apo sjelljeje që cenon integritetin institucional dhe se administrata publike duhet të jetë model profesionalizmi dhe përgjegjshmërie.
