Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi pasditen e sotme një takim me mbështetës në zonën e Durrësit të ri, ku u ndal te përmbytjet e muajve të fundit që, sipas tij, prekën rreth 6 mijë familje.
Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë për mungesë reagimi dhe përgjegjësie, duke e cilësuar situatën si pasojë jo vetëm e reshjeve, por edhe e korrupsionit dhe keqmenaxhimit. “Përmbytje nga shirat, por po kaq nga korrupsioni”, u shpreh ai, duke pretenduar se fondet për pastrimin e kanaleve dhe sistemin e kullimit janë shpërdoruar.
Berisha kritikoi faktin që, sipas tij, nuk u shpall gjendja e emergjencës dhe askush nuk është vënë para përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara. Ai ngriti pyetje mbi administrimin e infrastrukturës së kullimit, përfshirë funksionimin e hidrovorëve dhe pompave në zonat e prekura.
Sipas kreut të PD-së, përmbytjet nxorën në pah, siç tha ai, “fytyrën e shëmtuar” të qeverisjes aktuale, duke e akuzuar atë për neglizhencë dhe mungesë mbështetjeje ndaj familjeve të prekura.
Takimi në Durrës ishte pjesë e turit të radhës të “Foltores”, ku Berisha po zhvillon bashkëbisedime me qytetarë dhe simpatizantë në qytete të ndryshme të vendit.
